Çaush Shehaj, 89 vjeç, humbi jetën mëngjesin e sotëm në spital, pasi ra pre e një grabitjeje me dhunë në shtëpinë e tij, në fshatin Klos, në Mallakastër.

Më herët, policia njoftoi se gjatë mbrëmjes së djeshme dy të rinjtë, Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç, kishin hyrë në shtëpinë e të moshuarit të armatosur me një automatik dhe e kishin kërcënuar. Duke e dhunuar ata i kishin marrë rreth 5 mijë lekë. Në dyshimin se i moshuari mund të kishte para të tjera në shtëpi, ata e kanë torturuar, duke e dhunuar aq rëndë sa t’i merrnin dhe jetën.

Një i afërm i tij deklaroi se viktima ishte i deformuar në fytyrë nga dhuna, e po ashtu kishte një brinjë të thyer.

“Jemi indinjuar, por shteti nëse ka ligje, për mua ata duhen varur. Të të vrasin në shtëpi brenda…. E kanë vrarë në 2 të natës lakuriq, e kanë shëmtuar masakruar nga fytyra, e brinja, nuk i duket mishi fare”-, tregoi i afërmi.

Shehaj jetonte vetëm me gruan e tij, e cila vuante nga sëmundja e sklerozës, teksa fëmijët e tyre janë në emigrim në Greqi. Familja jetonte në kushte të vështira dhe mbaheshin vetëm me pensioni ne tyre,p or duket se kaq ka mjaftuar për dy të rinjtë, të cilët i terrorizuan gjatë natës, duke i marrë dhe jetën 89-vjeçarit.

Tashmë dy të rinjtë janë arrestuar, ndërsa mbi ta rëndojnë akuzat për “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Vrasje”.