Rreth një muaj më parë, shqiptarët në Britani zhvilluan një protestë jashtë Parlamentit në Londër, duke vendosur flamurin kuqezi në statujën e Winston Churchill.
Daily Mail ka publikuar një shkrim, sipas së cilës, organizatorët e kësaj proteste ishin dy shqiptarë të dënuar më parë për trafikimin e qenieve njerëzore.
Sipas medias britanike, organizatorët e protestës ishin vëllezërit, Taulant dhe Enkeleid Omi. Në tubim ishin rreth 1500 qytetarë shqiptarë.
Gjithashtu, ata organizuan edhe festën e shqiptarëve me makina luksoze në Londër, për ditën e Pavarësisë.
Një muaj më parë, Enkeleid Omi tha për gazetarët se: Ne mendojmë se është në të mirën e komunitetit tonë të tregojmë se nuk jemi ata që na cilësojnë autoritetet. Ne nuk jemi kriminel, ne nuk jemi pushtues.
Por, vazhdon shkrimi, vëllezërit Omi u shpallën fajtor në vitin 2015 pasi u kapën duke trafikuar një grua shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe vetë ata kanë mbërritur ilegalisht në Britani.
Ndërkohë, Taulant Omi në momentin e mbërritjes në Britani, pretendoi se ishte shtetas kosovar dhe kërkoi azil. Aplikimi i tij u refuzua, por ai e fitoi çështjen në apel në vitin 2006. Pas disa vitesh, ai arriti të marrë nënshtetësinë britanike.
Duke u kthyer tek protesta përpara parlamentit britanik, Taulant Omi postoi në rrjete sociale disa foto ku shkruante se shqiptarët janë mbledhur me qëllime paqësore, për t’i treguar britanikëve se ata nuk janë kriminelë.
Por vëllezërit Omi i kapën në vitin 2013 në tentativë për të trafikuar qenie njerëzore në Mbretërinë e Bashkuar. Ata u dënuan në 2015-ën me nga 1 vit burg, por u konvertua më pas në 200 orë shërbim prove.
Vëllezërit Omi, të lindur në Shkodër, jetojnë në qytetin e Bedford. Ata konsiderohen si persona me influencë në komunitetin shqiptar në Britani.