Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi dhe Leonard Thodhori i njohur edhe si “Koçole”, prej 7 ditësh rezultojnë të zhdur në qytetin e Sarandës.
Policia është vënë në alarm ditën e djeshme dhe po kryen veprime të shumta hetimore përfshirë këqyrje kamerash sigurie dhe marrje në pyetje personash, për të rënë në gjurmët e dy 46-vjeçarëve.
Të dy personat rezultojnë me precedentë të theksuar penalë, ndërkohë, është zbardhur një vendim gjykate që daton 1 vit më parë, në të cilin vendos lirimi i Fatmir Sulovarit pasi ishte arrestuar me një sasi droge. Vendimi zbulon se Sulovari ishte ndaluar në Lushnje pasi më parë nuk i kishte ndaluar policisë së Fierit.
Vendimi i Gjykatës:
“Nga aktet hetimore dërguar nga Komisariati i Policisë Lushnjë rezulton se, më datë 18.04.2022 ora 21:35 nga ana e OPGJ është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit nën hetim Fatmir Sulovari për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Arrestimi i tij është bërë pasi në datë 18.04.2022 në orën 18:20 gjatë patrullimit me mjete policie patrulla e policisë është njoftuar nga salla operative e Komisariati të Policisë Lushnjë se duhet të dislokohej pikë kontrolli në rrethrrotullimin e Savrës Lushnjë për të verifikuar dhe ndaluar një automjet “BMW’ me targa AA 722 ZU me ngjyrë gri e cila nuk i kishte ndaluar shërbimeve policore të qarkullimit rrugor Fier dhe ky automjet po vinte në drejtim të Lushnjës. Pas këtij njoftimi janë dislokuar në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Savrës”, në aksin rrugor “Fier-Lushnjë”.
Gjatë kryerjes së këtij shërbimi në orën 18:55 në drejtim të rrugës Fier-Lushnjë vjen automjeti “BMË” me targa AA 722 ZU me ngjyrë gri dhe i kanë dhënë shenjë ndalimi dhe ky automjet ka ndaluar dhe në të ishte vetëm drejtuesi i mjetit, pasi janë prezantuar se kush ishin dhe arsyen e ndalimit kanë vazhduar me kontrollin e automjetit dhe nga kontrolli në sediljen e pasme pas sediljes së drejtuesit të mjetit gjendej një xhup me ngjyrë të zezë, ku nga kontrolli i këtij xhupi në xhepin “Kent” me ngjyrë të bardhë me gri e cila brenda saj u zbulua lëndë narkotike e dyshuar si “Cannabis Sattiva” të cilën ky shtetas ka deklaruar se është e tij për përdorim vetjak. Nga kontrolli i mëtejshëm i mjetit nuk janë konstatuar sende të tjera të kundraligjshme apo që lidhen me vepra të tjera penale. Shtetasi Fatmir Sulovari nuk posedonte lejen e drejtimit dhe mjeti BMË me targa AA 722 ZU, ishte në pronësi të shtetasit L. P.
Gjykata në bazë të neneve 83, 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, VENDOSI:
-Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personit nën hetim Fatmir Sulovari i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal .
-Caktimin ndaj personit nën hetim Fatmir Sulovari si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
-Urdhërohet personi nën hetim Fatmir Sulovari të paraqitet në policinë gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, të hënën e parë çdo muaji në orën 10:00.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Fatmir Sulovari, nëse nuk mbahet i arrestuar apo ndaluar, ose nuk është duke vuajtur ndonjë dënim për vepër tjetër penale.