Themeluesi i Alibaba, Jack Ma, një nga njerëzit më të pasur në botë,  ka vizituar Shqipërinë.

Fotot e tij janë publikuar në një nga restorantet e Tiranës, ndërsa prej shumë kohësh ai ishte zhdukur duke ngritur dyshime edhe nëse ishte ende gjallë.

Ma ishte në vendin tonë para tre ditësh, i shoqëruar nga 6 shtetas kinezë, të cilët nuk dihet nëse ishin biznesmenë, apo pjesë e stafit të tij.

Nuk dihet nëse kjo vizitë është thjesht për pushime, apo për biznes, për të bërë disa negociata për biznesin e tij, i cili po ndalohet në disa shtete duke hasur probleme.

Rasti i fundit i ndalimit ishte Qeveria britanike, e cila ka dhënë urdhër ndaj administratës që të mos përdorë ‘AliBaba-n’, një kompani teknologjike shumëkombëshe kineze, e specializuar në tregtinë elektronike, shitjen me pakicë, internetin dhe teknologjinë.

Kujtojmë se bizneset e Jack Ma kanë qenë prej vitesh nën presion të madh nga autoritetet Kineze. Ma nuk është shfaqur në publik e as në median sociale prej kohësh, nga dalja e shumëpritur në bursë e Alibaba që u anulua më pas nga autoritetet rregullatorë Kineze. Autoritetet Kineze kanë kritikuar kompaninë sepse ka dëmtuar konkurrencën dhe abuzuar me pozitat dominuese në treg.

Në Kinë Alibaba është nën hetim për sjellje monopolistike. “Wall Street Journal” raportoi se Pekini po përpiqej të merrte një pjesë të madhe të biznesit të tij duke cituar njerëz të afërt me çështjen. Ma mungoi edhe në finalen e “Africa’s Business Heroes” që ai e ka krijuar.

 Edhe pse Ma nuk ka asnjë funksion ekzekutiv në kompaninë që bashkëthemeloi, ai mbetet aksioneri më i madh individual i Alibaba me 5% të aksioneve ose përkthyer në vlerë prej 25 miliardë dollarësh.