E enjte e zezë. Tre viktima dhe asnjë me armë zjarri. Duket sikur vrasësit kanë zbuluar një “lodër” të re, thikën… Mund të merresha me këdo prej tyre. Por, çfarë te them?!
Dy të vrarë brenda pak orëve ene Elbasan!! Nuk përbën me as lajm dhe as çudi. Për fat të keq, të banorëve të atij qyteti të vjetër dhe me kulturë, pyetja e çdo mëngjësi, se kë kanë vrarë mbrëmë, është kthyer ne nje normalitet.
Kam 4 vite, që denoncoj, apeloj, publikoj fakte dhe prova, për të dëshmuar se një nga qytetet kryesore të vendit, kryqëzim shumë i rëndësishëm i akseve kombëtare dhe ndërkombëtare të narkotikëve, Elbasani, ka humbur qetësinë e tij, ka dale jashtë kontrollit.
Së fundi, beteja për kontrollin e këtij qyteti, nga grupet kriminale të krimit të organizuar, është bërë aq e ashpër, sa duket si Palermo e viteve ‘80.
Më shume se paaftësia dhe pamundësia e shtetit, për të garantuar rend dhe siguri në këtë qytet, të fut tmerrin korrupsioni deri në palcë, i organeve të drejtësisë.
Bota e krimit të organizuar, ia ka dalë në këtë qytet, më shumë se askund tjetër në kete vend, të korruptojë, të blejë, të shesë, të implikoje dhe t’i detyrojë të bashkëpunojnë në favor të vetë, agjencitë e zbatimit të ligjit, pushtetin vendor dhe atë qendror.
Madje aleanca e botës krimit me forcat politika të të gjitha krahëve, është aq e madhe, sa sot nuk e ndan dot, ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra.
Ndërsa sot, ekranet e mediave vizive dhe axhenda politike, janë përqendruar te ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, ajo që të trishton më shumë është ngjarja e Xhafzotajt.
Besoj krimi emblemë, që dëshmon gjirizin ku është zhytur dhe po zhytet çdo ditë e më thellë ky vend, është vrasja e 65-vjeçarit, Fiqiri Çalliku, ndërsa ruante arën e tij të mbjellë me misër.
Një shqiptar i mirë, punetore, hallexhi, që punonte në tokën e tij, që kishte mbjell misër për të mbajtur familjen me bukë.
Mbeti i vrarë në mesnatë, ndërsa ruante misrin e parcelës së tij nga një kriminel “hallexhi”, që kush e di çfarë tjetër halli e ka detyruar të shkojë të vjedh djersën dhe mundin e një shqiptari të varfër, për ta shitur të nesërmen, si misër të pjekur, rrugëve të Durrësit.
Këto kohë, jemi mësuar të degjojmë raste, kur shqiptaret janë vrare duke ruajtur parcelën me kanabis nga trafikantët. Por ja ku arritëm, po vriten dhe ata bashkëkombas të ndershëm, që ruajnë parcelën e tyre me misër.
Situata është aq trishtuese dhe dekurajuese, sa “Legjenda e misrit” e Migjenit, e shkruar një shekull më parë, duket sikur është shkruar dje në mbrëmje nga gjeniu i poezisë shqiptare.