Kanë kaluar plot 24 orë që nga gjetja e një trupi të pajetë në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Papërr, megjithatë, viktima ende nuk është identifikuar.

Policia lokale raportoi se nga hetimet paraprake, dyshohet se një shtetas rreth të 50-ve kishte humbur jetën pasi ishte aksidentuar nga një drejtues automjeti, i cili ishte larguar nga vendngjarja, dhe ende nuk është  identifikuar.

Ngjarja mbetet ende e rrethuar nga misteri, teksa grupi  hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave si edhe për identifikimin e viktimës, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që shkaktoi vdekjen e personit që dyshohet të jetë rreth të 50-ave.

Krahas dyshimeve për një ngjarje aksidentale po hetohet edhe rreth dyshimeve për një ngjarje të mundshme kriminale. Ndërkaq kufoma ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit dhe askush nuk është interesuar për identifikim e saj.