Shyqyri Bylykbashi, 77-vjeçari i cili dy ditë më parë vrau djalin e tij 50-vjeçar është lënë në burg nga Gjykata.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me Burg”, teksa Bylykbashi është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike. Kokë ulur brenda kafazit të qelqtë, ai ka kërkuar nga mediat të mos filmohet, ndërsa është dëgjuar të thotë: “Më lini more, njeri jam edhe unë”.
“Doja vetëm të mbrohesha. Jam i mbaruar nga trutë”, ka thënë ai, ndërkohë në sallë ishin të pranishëm edhe familjarë të tij.
Të shtunën në fshatin Zvezdë të Maliqit babai i moshuar vrau djalin me çekiç pas një grindjeje të lindur për shkak të konsumit të alkoolit. Familja e deklaroi ngjarjen si aksidentale por ekspertiza mjeko-ligjore provoi se Hamdi Bylykbashi ishte goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas policia arriti të zbardhte të vërtetën.
50-vjeçari Hamdi Bylykbashi në gjendje të dehur ka debatuar me të dy prindërit në oborrin e banesës së tyre, në qendër të fshatit. Në debat e sipër sipas policisë viktima ka tentuar të hedhë babanë e tij Shefkiun në pusin i cili ndodhet në oborrin e banesës.
Pasi është shmangur, i moshuari ka arritur të marrë një çekiç i cili ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe me të ka goditur disa herë në kokë djalin e tij të vetëm.
Kryeplaku i fshatit, Adriatik Lilo tha se pas kthimit nga Franca ku jetonte si emigrant, 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi konsumonte rregullisht alkool ndërsa babai vuante nga skleroza.
Sakaq pas arrestimit Shefki Bylykbashi në gjendje të rënduar psikologjike, ka pranuar vrasjen e të birit. Ai ka deklaruar para policisë, se nuk ka pasur konflikt për asnjë arsye me të birin, por fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin.