Ish-kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrzit, Fran Tuci u bë zyrtari i rradhës nga socialistët që u arrestua ditën e djeshme.
Tuci u prangos me urdhër të SPAK nën akuzë për shpërdorim detyre për shkak të abuzimeve të dyshuara me tenderin e një rruge.
Në pranga ra edhe administratori i njësisë Iballë në Pukë, Ndoc Marku, për shpërdorim detyre ndërsa në kërkim u shpall biznesmeni Durim Markgjekaj, i akuzuar për shkatërrim prone.
Tuci akuzohet se ka dhënë urdhër për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, por kundra ligjit, duke dëmtuar një sipërfaqe të kosiderueshme pyjore në pronësi të shtetit. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin e këtij fondi pyjor. Ish-titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Iballë, Ndoc Marku me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar nga autoritetet kompetente”, thuhet në dosje.
SPAK thekson se punimet janë kryer nga Durim Markgjekaj, ndaj të cilit është vendosur masa detyrim paraqitje pasi duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa pasur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.