Një 27-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali pasi është kapur duke vjedhur një makinë.
Mediat italiane raportojnë se arrestimi i të riut është bërë në një qendër tregtare aty ku edhe tentoi të vidhte makinën e një gruaje e cila shoqërohej nga dy djemtë e saj. Megjithatë plani i shqiptarit nuk ka përfunduar me sukses, pasi makina ndiqej me GPS. Pasi gruaja kishte vënë re që makina ishte zhvendosur nga vend parkimi ka telefonuar policinë e cila ka mbërritur për pak minuta në vendin e ngjarjes.
Pak para se të arratisej bashkë me makinën e vjedhur, shqiptari është zënë pritë nga dy djemtë e italianes dhe është përplasur fizikisht me ta. Madje në një moment ai i ka kërcënuar edhe me kaçavidë. Situata është përshkallëzuar me prezencën e policisë, çka shtoi nervozizmin e të riut shqiptar.
Ky i fundit ka vijuar me kërcënimet në prani të policisë, e cila ka ndërhyrë për të neutralizuar të riun. 27-vjeçari pasi u shoqërua në urgjencë për të trajtuar disa gërvishtje dhe mavijosje të marra gjatë mosmarrëveshjes, u dërgua në komisariat për krimet e vjedhjes, plagosjes, kanosjes dhe mbajtjes së sendeve të forta.