Ministrja e Arsimit, Evis Kushi nga Kuvendi ka komentuar nismën e qeverisë për kontratën 5-vjeçare me studentët e mjekësisë.
Kushi tha se ky ligj nuk është antikushtetues dhe se asnjë lloj detyrimi, teksa shtoi se qëllimi është që studentët e diplomuar të qëndrojnë në vend dhe të plotësohen nevojat për mjekë e specialistë, pasi Shqipëria ka nevojë për ta.
“Kredia studentore i jep mundësi maturantëve që të ndjekin studimet, i bëj thirrje pasi sot kanë një mundësi më shumë. Një detyrim i arsimit të lartë, nuk mburremi për këtë nisëm.
Dua ta theksoj, ligji nuk është antikushtetues. Nuk detyron askënd, u jep mundësi që studentët të zgjedhin. Marrëveshjen e shkruajnë ata që e ndjejnë, që pas diplomimit të punojnë në Shqipëri. Thelbi është të mbështesim më shumë ata që qëndrojnë në Shqipëri. Ligji jo vetëm që s’është antikushtetues, ligji është mekanizëm që ne të përmendim detyrimin kushtetues për të plotësuar nevojat për mjekë dhe specialistë. Të plotësojmë nevojat për burime njerëzore.
Shërbimi që marrin sot qytetarët është shumë herë më i mirë nga ai çfarë bëhej para shumë vitesh, por gjithashtu e vërtetë që kemi ende punë për të bërë. Fenomeni i largimit të mjekëve është realitet jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e vendet e BE”, tha Kushi.