Një rast i rëndë dhune në familje është zbardhur ditën e djeshme në Tiranë, pasi një fëmijë 7-vjeçar nisi të qantë në një autobus në kryeqytet, duke thënë se nuk donte të shkonte tek babai sepse ai e rrihte.

Rasti është denoncuar nga qytetarët në media, të cilët kanë filmuar momentin kur djali qan me ngashërim në urban teksa i thotë nënës së tij se nuk do të shkojë tek babai. Po ashtu, në videon e rëndë shihet se si dhe nëna e dhunon të miturin, i cili është duke u dridhur nga frika.

Për këtë ka reaguar sot edhe policia, teksa njoftojnë se është arrestuar një 65-vjeçar, i cili është babai i djalit.

Njoftimi i policisë:

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me ngjarjen që shkaktoi reagim në publik, ku një i mitur qante me dënesë dhe tregonte se një person, që u mendua se ishte babai i saj, e dhunonte.

Në lidhje me një video të postuar në portalin JOQ, në të cilën shfaqet një shtetas i mitur që tregon se dhunohet nga një shtetas, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të pamjeve, kanë organizuar punën për verifikimin e rastit. Si rezultat i veprimeve, është identifikuar dhe shoqëruar në komisariat, autori i dyshuar për këtë rast, shtetasi A. H., 65 vjeç, banues në Tiranë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij, për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, dhe materialet procedulare i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.