Ka nisur prej disa minutash seanca plenare, teksa deputetët e PD me në krye Sali Berishën i janë drejtuar foltores së Kuvendit.

Kryetarja e parlamentit i ka tërhequr vëmendjen, por Berisha i rrethuar nga deputetët e PD ka bllokuar foltoren. Rreth tij është mbledhur dhe garda.

Ditën e sotme, 16 deputetë të PD-së, mes tyre Berisha i kërkuan Kuvendit të ndryshonte rendin e ditës për të futur si çështje të parë çështjen “McGonigal” dhe mbledhjen e konferencës së kryetarëve në orën 11:00, por kjo kërkesë nuk u pranua.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj ka kërkuar sot që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në Kuvend dhe të japë sqarim në lidhje me përmendjen e emrit të tij në çështjen e Charles McGonigal, ish zyrtarit të lartë të FBI.

Alibeaj tha se Rama ishte stërmbullari i një veprimi të tillë korruptiv dhe shtoi se është I detyruar që së pari të sqarojë Kuvendin mbi ngjarjet.

Pjesë nga diskutimi në seancë:

Nikolla: S’ka nevojë që të vini të gjithë zoti Noka. Keni vetëm 3 minuta, shikoni rregulloren.

Berisha: Nuk mund të ketë sot debat tjetër përveç këtij debati. Shqiptarët duhet të marrin vesh të vërtetën. Edi Rama të vijë këtu të japë dorëheqjen dhe të shkojë të dëshmojë në SHBA.
Çfarë doni më shumë se kaq? A e dini kush ishte McGonigal, funksioni i tij, që i çuat ju paratë e kompanive të oligarkut rus. E dini ju se Deripaska i ka tentakulat e tij në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare. A e dini ju se Damiani juaj është zëdhënës kryesor i interesave ruse në Shqipëri.

Alibeaj: Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë kur gjithë Shqipëria po zien

Nikolla: Kjo nuk është për procedurë

Alibeaj: Jam duke bërë një sqarim. Kërkesa ime ka të bëjë me thirrjen për të qenë prezent Rama që është stërmbullari i një skandali korruptiv. Duhet të japë sqarimi më së pari në Parlament dhe është i detyruar të jetë prezent.