Një automjet tip “Mercedes-Benz” me targa greke që rezultojnë të vjedhura në Lezhë, ka vënë në lëvizje policinë e Sarandës për zhdukjen pa gjurmë të dy 46-vjecarëve Leonard Thodhori i njohur si Koçolja dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

Siç raportohet, automjeti rezulton të jetë fiksuar gjatë këqyrjes së shumë pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë që ndodhen në hyrje të qytetit të Sarandës.

Sipas pamjeve të zbardhura, automjeti rezulton gjithashtu se ka lëvizur edhe brenda qytetit të Sarandës, por nuk është arritur të identifikohet dot se kush ka qenë brenda tij.

Ajo që bën përshtypje është fakti se të dy kanë hyrë me dëshirën e tyre Brenda këtij mjeti të dyshimtë, ç’ka nënkupton se njeriu që i rrëmbeu ose ‘shiti’, e njihnin. Deri më tani raportohet se gjallë apo të vdekur, të dy 46-vjecarët ndodhen brenda rrethit të Sarandës, pasi makina në fjalë, nuk është pikasur të dalë nga qyteti bregdetar.

Dyshimet janë se automjeti i rrëmbyesve mund të ketë përshkruar Qafën e Soronesë për të hyrë ne territorin e Bashkisë Konispol, por ende nuk ka një version zyrtar. 

Por kush janë dy personat e zhdukur?

Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”, i dënuar disa here ishte i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.