Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule u shpreh i sigurt për fitoren e Fredi Belerit në Himarë, pavarësisht se ai ndodhet në burg me akuzën për blerje votash.

Në një prononcim për mediat ai tha se nga nesër do të nisë një periudhë e re për bashkinë e Himarës.

“Fitorja është e sigurt. Nga e hëna fillon një periudhë e re për Bashkinë e Himarës. Rrethi vicioz në Shqipëri do të thyhet. Do të kemi një shembull të administrimit europian dhe me një zhvillim që do të jetë miqësor për komunitetin, në interes të komunitetit”, u shpreh Dule.

I pyetur se çfarë reagimi do të ketë nga PBDNJ nëse gjykata e pranon pretencën e Prokurorisë për Belerin, Dule tha se do ndjekin ligjin deri në germën dhe frymën e vet.

“Kishte dje denoncime. E patë qytetaren e Himarës që u rrëmbye dhe u shoqërua në komisariat dhe i kërkohej diçka që nuk kishte ndërmend ta bënte”– tha Dule.