Kryeministri Edi Rama ka vazhduar replikën në twitter me kryedemokratin Lulzim Basha lidhur me deklaratat e Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon.


Në reagimin e fundit, Rama i kujton Bashën marrëveshjen që firmosi kur kryedemokrati ishte ministër, marrëveshje që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.


Sipas Ramës, nuk ka patur asnjë negociatë të qeverisë së tij, që prej ndërrimit të pushtetit në Greqi.


“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh, që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK!


Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, shkruan kryeministri Rama.


Por pavarësisht deklaratave mes liderëve politikë, shqiptarët nuk dinë ende asgjë mbi negociatat për detin dhe as sa do të zgjerohet konkretisht Greqia.