Ka nisur me debate të forta seanca e sotme plenare, pasi disa deputetë të opozitës nuk janë lejuar të hyjnë në Kuvend, për shkak se kanë masë disiplinore përjashtimi.
Deputeti Luçiano Boçi është lejuar të hyjë pasi i ka përfunduar afati 10 ditor i përjashtimit, ndërsa ai ka akuzuar kryeparlamentaren Lindita Nikolla, se ka shkelur Kushtetutën.
“Si mundeni ju zonja kryetare të shkelni rregulloren. I merrni urdhrat nga kryeministri tradhtar. Ne kemi kërkuar seancë pyetjesh urgjente, që Kryeministri duhet të ishte prezent, kemi kërkuar dy komisione hetimore zonja drejtuese.
Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimor, pse shkelni ju Kushtetutën zonjë drejtuesja e seancës. Kush është ky që del në studio dhe thotë unë nuk ngre komisione hetimore. Ushtro autoritetin tënd se ne kemi kërkuar për një çështje madhore, për atë thikën në zemër që i kemi ngulur thikën në zemër marrëdhënieve me SHBA. Jeni ata që keni cenuar marrëdhëniet me Amerikën jo ne. Rama ka goditur sigurinë e SHBA duke korruptuar agjentin e FBI. Kërkesa jonë është urgjente që të ngrihet ky komision dhe mos vazhdoni me këtë turp”– tha deputeti Luçiano Boçi.