Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur me 3 milionë lekë ose rreth 25 mijë euro, Drejtorinë e Tatimeve për publikimin e pagave për më shumë se 637 mijë qytetarë shqiptarë.

Në vendimin e publikuar, Komisioneri ka konstatuar 6 shkelje ligjore, pasi është konstatuar se Tatimet ndonëse kanë miratuar një rregullore në funksion të sigurisë së informacionit, nuk ka vendosur rregullat për zbatimin e rregullores.

“Nuk ka norma specifike që rregullojnë ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurinë e të dhënave personale, gjatë proceseve përpunuese që zhvillon Kontrolluesi, në përmbushjen e detyrave funksionale. Gjithashtu, nuk janë konstatuar procese monitorimi të standardizuara dhe periodike sipas rregulloreve të hartuara për mbrojtjen e aseteve dhe informacionit, për ruajtjen, integritetin, disponueshmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave”.

Gjithashtu, në vendim Komisioneri vë në dukje po ashtu se nuk janë trajnuar si duhet kapacitetet e duhura njerëzore.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të trajnimit të punonjësve që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale lidhur me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Rezulton mosplotësim i detyrimeve në lidhje me ngritjen, administrimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Menaxhimit së Sigurisë së Informacionit) për sa i takon mbrojtjes së të dhënave personale”.

Databaza me të dhënat personale dhe sensitive të më shumë se 630 mijë qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik qytetarëve u shpërnda përmes aplikacionit “WhatsApp”, thuajse një vit më parë, duke shënuar rrjedhjen më të madhe të të dhënave zyrtare në vend.