Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Elbasan- Peqin.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Pajovë, ku dy automjete janë përplasur dhe si pasojë dy persona mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi vetëm 200 metra larg një vendi ku, një ditë më parë, dy mjete të tjera u përplasën duke lënë dy drejtues të plagosur.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e Policisë Rrugore dhe zjarrfikëset, të cilat siguruan zonën dhe asistuan në ndihmën e parë për të plagosurit. Ekspertët po kryejnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Sipas informacionit paraprak, shkak është bërë një parakalim i gabuar, ndërkohë që të dy mjetet lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara.



