Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme fshatin Balldren në Lezhë, ku një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën një çifti bashkëshortësh. Viktimat janë identifikuar si Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, përkatësisht 39 dhe 32 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake, çifti po udhëtonte me një automjet tip “Audi Q7”, kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejt mjetit janë qëlluar më shumë se 30 plumba, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy bashkëshortëve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i krimit pa lënë gjurmë. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet në zonë. Mësohet se nga Tirana kanë mbërritur me urgjencë specialistë të sektorit të Krimeve të Rënda, të cilët po punojnë në bashkëpunim me policinë lokale për zbardhjen e plotë të atentatit.

Burime hetimore bëjnë me dije se viktimat kishin katër fëmijë. Dyshohet se çifti sapo kishte dalë nga një lokal në autostradën Lezhë–Shkodër dhe ishte nisur drejt banesës së tyre, e cila ndodhet rreth 30 minuta larg vendit të ngjarjes, kur janë qëlluar në lëvizje.