Spanja, Portugalia dhe një pjesë e Francës u përballën ditën e djeshme me një “blackout” të energjisë elektrike për shumë orë.

Në “Shqipëria Live”, Albana Murra, Eksperte e Zhvillimit të Biznesit, e cila banon në Spanjë dhe Xhuliano Hila, sipërmarrës që jeton në Portugali kanë treguar se si paraqitet sot situata në vendet ku ata jetojnë.

“Rreth orës 12:30 dje u ndërpre energjia elektrike. Unë isha në makinë në atë moment. Makinat ndaluan të gjitha në rrugë. Energjia u rikthye në disa zona në orën 15:00, në disa të tjera sot në orën 06:00 në mëngjes. Spitalet nuk kanë funksionuar mirë. Po ashtu, ka patur njerëz që janë bllokuar në trena, në metro dhe që janë evakuuar nga policia.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez doli të fliste vetëm pas 6 orësh dhe nuk tha asnjë gjë konkrete se çfarë e kishte shkaktuar. Interneti ishte i bllokuar dhe sit vazhdon të ketë probleme. Jemi informuar vetëm nëpërmjet radios. Një problem ishte dhe mënyra e pagesës, pasi zgjidhje ishin vetëm paratë cash, por shumica e njerëzve përdorin paranë elektronike.”– tha ajo.

“Në Portugali, ndërprerja ka nisur në orën 12:00 të drekës. Dy orët e para njerëzit nuk e besonin se çfarë po ndodhte. Më pas, u krijuan radhë në supermarkete dhe më pas u mbyllën për shkak se nuk pranonin dot pagesat me kartë. Pastaj u krijuan radhën ë ATM. Nisi kaosi më pas sepse njerëzit u frikësuan, zgjati shumë. Nuk dihet ende cili është shkaku i asaj që ndodhi. Lajmi i parë që energjia do vinte rreth orës 19:00 por rezultoi jo i vërtetë. Edhe këtu u ndërpre interneti.

Qeveria doli thjesht me një njoftim që u mblodh Këshilli i Ministrave, por pa na shpjeguar shkakun, edhe sot nuk e dimë.  Këtu situata duket më e qetë, problem ka me trenat, por në përgjithësi gjithçka është kthyer në normalitet. Këtu kemi patur një situatë të ngjashme në 2023, por ka zgjatur vetëm gjysmë ore, jo kaq shumë.

Sot jeta vazhdon normalisht, por shqetësim ka sepse moti është pak i keq. Ka patur pak njerëz që janë panikosur por shumica e kanë marrë me sportivitet dhe kanë shijuar plazhin. Kur kemi kaluar pandeminë e Covid-19, këto nuk na vrasim. Por një lloj paniku është, sepse u errësua dhe nuk kishim shumë zgjidhje. Mund të nisnin vjedhje dhe nuk kishim kontakt as me policinë. Unë kam 3 restorante dhe i kisha të paralizuar totalisht.”– tregoi Hila.