Protesta e tetë kombëtare e thirrur dje nga opozita, e nisur në orën 19:00 është mbyllur pas rreth një orë e gjysmë.
Kjo protestë u karakterizua nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, që këtë herë u mundua të jetë më parandaluese. Protesta nisi si gjithnjë, e qetë, por pa fjalimet karakteristike të deputetëve dhe të kryetarit të PD, Sali Berisha.
Në një podium të improvizuar u mbajtën vetëm disa thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Më pas, protesta u tentua të spotohej me marshim drejt Ministrisë së Brendshme, por policia, siç e pati paralajmëruar, mori masa për t’i ndaluar me një kordon të madh efektivësh, ujë dhe gaz lotsjellës. Ky ishte edhe momenti që ngjalli reagimet e dhunshme.
Fillimisht molotovët shpërthyen pranë kordonit të policisë dhe mjetit që lëshonte ujin drejt protestuesve, teksa një moment tensioni të lartë ishte kur protestuesit lëshonin gurë dhe fishekzjarrë drejt policëve.
Berisha preferoi që këtë herë të qëndrojë më para, çka edhe pasoi me ujë drejt tij dhe të tjerëve që ndodheshin në ballë të protestës.
Në fotot e siguruara nga Top Channel shihen edhe masat që kishin marrë deputetët e PD, Luçiano Boçi dhe Flamur Noka.
Reshjet e shiut ishin të pranishme gjatë gjithë protestës, me protestuesit, që përdorën edhe çadrat e tyre për tu mbrojtur nga uji i lëshuar nga ana e policisë.
I lagur i gjithi nga uji i policisë, por edhe nga shiu, Sali Berisha paralajmëroi beteja të tjera, teksa duhet thënë se ndryshe nga protestat e kaluara, në këtë rast nuk u sulmua asnjë institucion.








