Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, ka denoncuar për një tentativë për helmimin e klientit të tij në burgun e Reçit në datën 10 prill.
Izet Haxhia është i vetmi person i dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Përmes një deklarate, ai u shpreh se tentativa për helmimin e tij u bë përmes një pakoje me “ilaçe” që kishte mbërritur në dhomën e izolimit ku Haxhia ndodhej.
E ftuar në emisionin “Shqipëria LIVE”, ishte motra e tij, Ilmie Hazhia, e cila deklaroi se vëllai të saj i kishin dërguar ilaçe, të cilat ai pretendon se do e çmendnin. Ajo tha se i ishte thënë që pakoja i ishte dërguar nga familjarët, pa i dhënë shpjegime të tjera.
“Po, më datën 10 më mori në telefon, ishte shumë i shqetësuar. Më tha se i kishin sjellë ilaçe. I thashë në asnjë mënyrë mos i pi. Shyqyr ai ka mbaruar dhe për mjekësi. Më tha që ilaçet ishin për të të kalaur në çmenduri. Ai nuk ka rënë pre e tyre. Donte të dinte kush ia kishte sjellë, i kishin thënë që i ka sjellë një familjar. Pasi i kishin thënë emrin, kishin thënë që t’i kemi sjellë gabim.
Ilaçet në burg nuk hyjnë pa kontrolli ne mjekut. Këta i kanë sjellë direkt, pa kontroll. Ai e dinte që unë nuk i kisha çuar ilaçet. Nëse do ja dërgoja, do i çoja dhe ushqime.”- tha ajo.