Këto zgjedhje vendore kanë shënuar një fitore të thellë me 53 bashki për Partinë Socialiste, e nga ana tjetër një disfatë të thellë për opozitën.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i dyshes Meta-Berisha arriti të merrte vetëm 7 bashki, teksa rezultat akoma dhe më negativ pati për PD-në e Alibeajt.

Epërsia e socialistëve u pa ndjeshëm në disa bashki që në kutitë e para dhe kjo bëri që në selinë blu të kaplojë heshtja. Ndonëse kjo është nga disfatat më të rënda të opozitës, liderët opozitarë e cilësuan procesin si të manipuluar dhe farsë, duke mos pranuar humbjen.

Megjithatë katër kandidatë kanë treguar shembull qytetarie, pasi kanë uruar kundërshtarët për fitoren duke pranuar kështu humbjen, gjë e cila duket e vështirë të ndodhë në Shqipëri.

Dorën kundërshtarit ia shtrëngoi kandidati socialist në Kavajë, Redjan Krali. Edhe kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’’, Zef Hila në Vaun e Dejës uroi personalisht kundërshtarin e tij socialist Kristjan Shkreli.

Të njëjtën gjë bënë edhe kandidati socialist në Mirditë, Ndrec Dedaj dhe i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Gjirokastër, Dorjan Lani i cili ika uruar suksese Flamur Golemit të PS-së.

“Garova dhe për një rrugëtim tjetër 4-vjeçar pasi kisha projekte e punë të tjera për të kryer, por ju e besuat votën tuaj për kundërshtarin tim në këto zgjedhje Albert Mëlyshin. I uroj Albertit suksese në detyrën e lartë të Kryetarit Bashkisë dhe bëftë më të mirën për Mirditën dhe ju të dashur qytetarët e mi. Sovrani nuk gjykohet. Mirdita mbi të gjitha”, shkroi Deda në rrjetet sociale.

“Në mesazhin tim, i kam uruar të gjitha të mirat dhe suksese në udhëheqjen e qytetit tonë të bukur, rivalit tim. Ne jemi një parti demokratike dhe vlerat tona janë të ndërtuara në bazë të respektimit të vullnetit të sovranit. Në fund të fundit, ndryshe nga garat sportive, në garën politike ka vetëm një fitues. Megjithatë, unë nuk do të ndaloj përpjekjet e mia për të ndihmuar Gjirokastrën dhe qytetarët e saj nëpërmjet punës time dhe angazhimit në shoqërinë civile”, tha Dorjan Lani.

Një tjetër shembull qytetarie u dha në Roskovec ditën e zgjedhjeve. Dy kandidatët Majlinda Bufi e PS dhe ai i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Erdit Harizaj u ulën në një tavolinë së bashku duke konsumuar një kafe.