Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndërsa ditën e djeshme është transportuar në një spital në Greqi. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë pak më herët publikoi njoftimin për media të spitalit “Evangjelismos”, ku thuhej se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit është kritike.
Por cilët janë skenarët nëse për Kryepeshkopin bëhet i pamundur ushtrimi i detyrës ose në rastin më të keq ai ndërron jetë?
Në Statutin e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kapitulli III, Artikulli 22. thuhet se në rast sëmundjeje kronike ose vjetërsie, Kryepeshkopi paraqet tërheqjen e tij nga Sinodi, i cili është autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Më tej thuhet se nëse kryepeshkopi nuk tërhiqet brenda dy javësh nga data e njoftimit, Sinodi cakton menjëherë një ndihmës peshkop që merr përsipër administrimin e dioqezës. Ndërkohë, thuhet gjithashtu se nëse mjekët vërtetojnë paaftësinë e tyre, kryepeshkopët tërhiqen, duke marrë nga fondi i përgjithshëm i kishës një pagesë mujore prej 600 franga ari.
“Kryepeshkopi, peshkopët dhe Bursari i Madh, në rast vjetërsie ose sëmundje kronike që nuk lejojnë kryerjen e detyrës, kanë të drejtë të parashikojnë në mënyrë kanonike dhe me shkrim tërheqjen e tyre nga Sinodi, i cili merr vendime në merita. Sinodi mund të shprehet edhe me iniciativën e tij për sëmundjen ose vjetërsinë e ipeshkvijve me një raport prej pesë mjekësh të zgjedhur dy nga Sinodi, dy nga pacienti dhe një nga Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë.
Nëse kryepeshkopi ose peshkopët nuk tërhiqen brenda dy javësh nga data e njoftimit, Sinodi cakton menjëherë një ndihmës peshkop që merr përsipër administrimin e dioqezës. Kryepeshkopi dhe peshkopët e shpallur të paaftë ruajnë titullin e tyre dhe kujtohen në kishë dhe në ceremonitë e shenjta nga ndihmësi ipeshkvi dhe i gjithë kleri, por nuk mund të ushtrojnë asnjë veprimtari administrative dhe nuk mund të marrin pjesë aktive në drejtimin e kishës.
Nëse mjekët vërtetojnë paaftësinë e tyre, ata tërhiqen, duke marrë nga fondi i përgjithshëm i kishës një stimul mujor për kryepeshkopin prej 600 franga ari dhe 400 franga ari për peshkopët“, thuhet në Statutin e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Mediat greke raportuan se shëndeti i Kryepeshkopit është përkeqësuar mbrëmjen e së shtunës. Para shtrimit në spital në “Evangjelismos”, 95-vjeçari, i cili ka një histori të komplikuar mjekësore, kishte shfaqur simptoma të virusit. Ai u shtrua fillimisht në një spital në Tiranë. Megjithatë, mjekët raportuan se pas përkeqësimit të shëndetit të tij, u vendos transferimi i tij në Greqi për të marrë kujdesin e specializuar mjekësor. Ai u transportua nga Shqipëria me një mjet të Forcave Ajrore Greke. Transporti u krye me një avion C-27. Ai u shoqërua nga një mjek dhe dy infermierë. Avioni u ul në aeroportin ushtarak të Elefsinës në orën 19:34 të së enjtes mbrëma dhe menjëherë më pas Kryepeshkopi u transferua në spitalin “Evangjelismos”.



