Katër punonjës të Policisë së Shtetit janë proceduar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me rastin e ndërtimit të objektit pesëkatësh pa leje në Himarë, i cili u shemb nga IKMT.
Sipas AMP-së, nga hetimet e deritanishme rezulton se në këtë rast është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë. Dy prej punonjësve janë ndaluar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Këta punonjës të policisë, janë pezulluar ditën e djeshme nga detyra, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Skënder Hita.
Kujtojmë se një ditë më parë, tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në lidhje me këtë ndërtim pa leje. Objekti, i ndodhur në zonën e quajtur “Sugë”, dyshohet se ka nisur të ndërtohet që në dhjetor të vitit 2025. Ndërtimi përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.
Njoftimi i AMP:
Pas ngjarjes së ndërtimit të një objekti pa leje në Himarë 5 katësh, i cili u shemb nga IKMT dhe veprimet e para proçedurale u kryen nga Policia e Shtetit dhe arrestuan në flagrancë poseduesin e ndërtesës. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë rast, ku konkretisht; Nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se në këtë ngjarje është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë, konkretisht janë katër punonjës të Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve po procedohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
- Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
- Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
- Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve, DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
- Redin Çaushaj, me detyrë SPZ, Komisariati i Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë, ndërsa dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse. Për dy punonjësit e tjerë janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim. AMP vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore.



