Aksioni i nisur nga forcat e Policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ka degraduar në përplasje fizike më banorët iranianë.
Nga pamjet e siguruara brenda spitalit të kampit, është parë trupi i pajetë i shtetasit iranian, i cili u tregua edhe për kamerat nga mjekët. Gjithashtu mjeku tregoi se rreth 100 shtetas të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa disa prej tyre që ishin në gjendje më të rëndë janë transportuar tek Trauma.
Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me tensionet dhe konfliktet e ndodhura sot në kampin Ashraf në Manzë.
Ministria thotë se operacioni është në zbatim të urdhrit të SPAK, ndërsa bëhet e ditur se MEK nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe se brenda kampit bënë rezistencë. Po ashtu ministria e Brendshme tha se asnjë person nuk ka humbur jetën gjatë kontrollit në fjalë.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme:
Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.