Ministria e Brendshme ka publikuar foto nga vendngjarja, pas ekzekutimit të 62-vjeçarit Ramiz Muçollari nga RENEA.

Në foto shihet viktima i shtrirë dhe i mbuluar nga gjaku, ndërsa pranë trupit të pajetë ndodhet edhe arma me të cilën ai hapi zjarr dhe kërcënoi për disa orë efektivët e policisë lokale dhe forcat RENEA.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi në fshatin Qesarake të Malqit, ku 62-vjeçari ka qëlluar me thikë në këmbë të shoqen, si dhe ka lënë të plagosur të birin pasi e ka goditur me sende të forta në kokë.

Ndërsa dy të plagosurit janë transportuar në spitalin e Korçës, policia ka mbërritur në banesën e autorit, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor, por ky i fundit është mbyllur brenda, ndërsa ka hapur zjarr ndaj efektivëve.

Në ndihmë të policisë lokale ka mbërritur edhe RENEA, teksa për rreth 8 orë është bërë përpjekje për të negociuar me autorin për t’u dorëzuar, por ky i fundit ka refuzuar.

Mëngjesin e sotëm RENEA arriti të futej deri në katin e dytë të banesës së tij, ndërsa ai qëndronte i fshehur në papafingo. Pas disa tentativash, RENEA ka mundur që ta lokalizojë autorin, por sërish mes tyre, sipas policisë, ka pasur përplasje me armë, e si pasojë Muçollari ka mbetur i vrarë.