Avokatja Krenare Vokshi ka qenë një ditë më parë në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live” , ku ka folur në lidhje me sherrin e Jozefin Markut dhe Eduard Kuçit.

Ndaj këngëtarit rëndojnë pesë vepra penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Pjesë nga intervista:

Sidorela: Në dijeninë tënde, pesë veprat penale që rëndojnë ndaj Jozefin Markut, çfarë mund të ndodhë në vijim? A ka gjasa që të lirohet 48 orë pas arrestimit apo do të pritet për t’u marrë një vendim tjetër?

Krenare: Sigurisht që pas arrestimit ata që janë në ndalim dhe pritet, nëse nuk gaboj, nesër që gjykata të dalë me një vendim për të vlerësuar rastin në qoftë se Jozi të mbrohet në liri apo të vazhdohet masa e paraburgimit ose dhe e arrestit shtëpiak. Meqenëse janë gjithsej rreth pesë vepra penale, sigurisht që pas një vendimi të prerë të Gjykatës në Shqipëri, mund të merret një dënim unik, i cili sipas parimeve për caktimin e dënimit unik, mund të jepet një dënim i përgjithshëm.

Sidorela: Çfarë do të thotë dënim i përgjithshëm? Çfarë rrezikon?

Krenare: Secila Gjykatë kur janë 2-3 vepra penale të cilat janë kryer në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, gjykata mund të shqiptojë një dënim unik duke i mbledhur të gjitha veprat.

Sidorela: Na thuaj çfarë rrezikon, sa vite?

Krenare: Varësisht pra prej veprave penale të cilat i ka kryer, për shembull ‘te heqja e paligjshme e lirisë’, pra sipas nenit 110 të kodit penal të Shqipërisë, dënimi mund të parashikohet 3-7 vjet burgim. Gjithashtu ‘mbajtja pa të drejtë e uniformës’ mund të dënohet deri në 5 vite burgim. Nëse nuk gaboj, caktimi i dënimit për veprën penale ‘plagosje e lehtë me dashje’ mund të ketë dënim me gjobë ose me burgim deri në 2 vite. Pra, këto janë përafërsisht lartësia e dënimit minimal dhe maksimal qv do të ketë mundësi Gjykata të shqiptojë ndaj Jozit.