Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj në një konferencë për mediat komentoi përplasjen me Endri Shabanin.
Ai zbuloi se Shabani i ka kërkuar mbështetje pasi planifikon të garojë si kryebashkiak për Tiranën. Lapaj shtoi po ashtu, se mes kërkesave të Shabanit ishte drejtimi i koalicionit të krijuar mes “Nismës Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”, e po ashtu 30 milionë lekë në vit për këtë pozicion.
“Ne kemi bërë fushatë në të gjithë Shqipërinë, ka qenë Endri Shabani që ka bërë fushatë në tiranë, mund të kishte marrë shumë më shumë vota, por halli i vet.
Na ka kërkuar të garojë për Bashkinë e Tiranës dhe i kam thënë mendoje mirë dhe nëse vendos do të mbështes. Ka kërkuar drejtimin e koalicionit dy vitet e ardhshme dhe 30 milionë lekë në vit si drejtues koalicioni. I kam thënë që nëse koalicioni vazhdon, do funksionojë me lekët që sjell KQZ. Këto kanë qenë kërkesa të bëra gjatë muajit të kaluar dhe i kam thënë: të përfundojmë marrëveshjen e parë të bërë. Për këto kërkesa nuk i është thënë ‘Jo’.”– tha Lapaj.




