Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Peqin–Elbasan, në afërsi të fshatit Murras. Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë tre automjete, mes tyre edhe një furgon. Sipas informacioneve paraprake, të plagosur kanë mbetur 5 persona, të cilët kanë marrë dëmtime të ndryshme dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i automjeteve në këtë segment është bllokuar, duke krijuar radhë të gjata mjetesh në të dyja drejtimet. Forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për normalizimin e trafikut. Pritet një njoftim zyrtar për më shumë detaje mbi ngjarjen.


