77-vjeçari Hasan Dalladaku, i cili mbeti i plagosur nga i biri mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës, është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. I moshuari ka marrë dëmtime të rënda nga sulmi me sqepar, ndërsa bëhet me dije se aktualisht parametrat jetësorë janë stabël.
Ngjarja ndodhi në banesën e familjes Dalladaku, ku 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se ka sulmuar me sqepar të dy prindërit e tij. Nga sulmi humbi jetën 80-vjeçarja Fanije Dalladaku, ndërsa bashkëshorti i saj, Hasani, mbeti i plagosur. 45-vjeçari u arrestua nga policia pak orë pas ngjarjes. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se kishte probleme të shëndetit mendor.


