Një 28-vjeçar po tmerron banorët e një pallati në zonën Williamsbridge në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I riu akuzohet se ka terrorizuar të gjithë ndërtesën me kërcënime, armë të ftohta dhe akte shqetësuese.
“New York Post” ka publikuar fotografitë e Anthony Orozco, i cili prej muajsh po krijon frikë, panik dhe kaos në pallatin ku jeton.
Kamerat e sigurisë kanë kapur 28-vjeçarin teksa lëviz në korridoret e ndërtesës me veshje të ndryshme. Madhe herë pas here shfaqet dhe me rroba vajzash.
Më e rënda është kur ai shfaqet me sëpatë në dorë teksa troket në dyert e fqinjëve dhe duke bërtitur në mënyrë kërcënuese.
Në video të tjera, ai është filmuar duke mbajtur thikë në korridore, ndërsa banorët thonë se shpesh kanë frikë të dalin nga apartamentet për shkak të sjelljes së tij agresive.
“Ndonjëherë kemi frikë të dalim në korridore… Ai po troket në dyert e njerëzve me shkopinj”, tha një nga fqinjët, Alexandra Reina.
Sipas “New York Post:, situata u përkeqësua më 4 prill, kur Orozco dyshohet se hapi të katër sobat e gazit në apartamentin e tij pa i ndezur, duke shkaktuar rrjedhje gazi në të gjithë ndërtesën. Zjarrfikësit ndërprenë furnizimin me gaz, por sipas fqinjëve, ai e riktheu përsëri dhe vazhdoi të pinte cigare, duke ngritur frikën për një shpërthim të mundshëm.
Sipas banorëve, 28-vjeçari nuk ka paguar qira që prej janarit 2025, ndërsa përpjekjet për ta nxjerrë nga apartamenti përmes gjykatës kanë mbetur pezull.











