Sasia e ricinës që kishin konsumuar Antonella Di Ielsi dhe vajza e saj 15-vjeçare, Sara Di Vita ishte aq e madhe, sa ishte praktikisht e pamundur të shpëtoheshin.
Nënë e bijë humbën jetën në Pietracatella (provinca e Campobasso-s) pas një dreke pranë Krishtlindjeve të kaluara.
Mediat e huaja shkruajnë se, ky është një nga përfundimet e autopsisë së shumëpritur për këtë rast misterioz në rajonin e Molises. Raporti, me gjithsej 838 faqe, konfirmon një fakt të sigurt: të dyja viktimat vdiqën si pasojë e helmimit me ricinë. Megjithatë, mënyra se si helmi hyri në organizmin e tyre mbetet ende e paqartë dhe të gjitha pistat e hetimit janë ende të hapura.
“Në dritën e sasisë shumë të lartë të toksinës së ricinës të zbuluar nga analizat toksikologjike, mungesës së një antidoti specifik dhe përkeqësimit të shpejtë të gjendjes klinike, nuk mund të thuhet se një trajtim i ndryshëm mjekësor do të kishte parandaluar vdekjen e pacientes.”
Me fjalë të tjera, sasia e helmit që kishin marrë viktimat ishte aq e madhe, sa edhe një qasje tjetër nga mjekët që i trajtuan Antonella Di Ielsi dhe Sara Di Vita nuk do ta kishte ndryshuar rezultatin fatal.
Të dyja ishin paraqitur në urgjencë vetëm pak orë para se të ndërronin jetë, por u lanë të largoheshin nga spitali pasi ekipi mjekësor nuk kishte konstatuar asgjë të pazakontë dhe simptomat e tyre u konsideruan si një grip intestinal (gastroenterit viral).
Autopsia – e nënshkruar nga Benedetta Pia De Luca, Francesco Giovanni Battista Laterza, Alessandro Locatelli dhe Daniele Merli, të cilët punuan në bashkëpunim me Qendrën Kundër Helmimeve Maugeri në Pavia – duket se i shfajëson pesë mjekët e Spitalit Cardarelli të Campobasso-s, të cilët ishin nën hetim për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Kur dhe si e konsmuan ricinën?
Nga analiza e trupave dhe hetimet kimike-toksikologjike rezultoi qartë se vlerat e konstatuara ishin në përputhje me një helmim akut nga toksinat e ricinës.
Konkretisht, në gjakun e nënës u gjet ricinë në një përqendrim prej 722 ng/mL, ndërsa në gjakun e vajzës 15-vjeçare u konstatuan 630 ng/mL.
Sipas raportit përfundimtar prej 838 faqesh, helmi me shumë gjasa është marrë nga goja, pra është gëlltitur.
Ekspertët kanë përcaktuar edhe periudhën e mundshme kur dy viktimat kanë rënë në kontakt me substancën toksike:
“Shfaqja e simptomave të para në mëngjesin e 25 dhjetorit tregon se ekspozimi ka ndodhur me shumë gjasa midis datave 23 dhe 24 dhjetor”.
Kjo përkon me periudhën kur familja Di Vita kishte konsumuar disa vakte me rastin e festave të Krishtlindjes.
Pyetjet që mbeten ende pa përgjigje
Edhe pse tashmë është përcaktuar shkaku i vdekjes, ende mbetet e paqartë si u administrua helmi te dy gratë dhe, mbi të gjitha, kush i helmoi për vdekje.
Sa i përket mënyrës së helmimit, megjithëse konsumimi nga goja konsiderohet si skenari më i mundshëm, as autopsia nuk ka arritur ta sqarojë plotësisht këtë çështje.
Madje, ende nuk dihet nëse toksina ishte përzier me ndonjë ushqim apo ishte hedhur në ndonjë lëng që më pas u konsumua nga viktimat.
Për të ngushtuar më tej rrethin e hetimeve, disa specialistë – përfshirë ekspertë gjermanë nga Instituti Robert Koch në Berlin – do të analizojnë 70 produkte ushqimore të sekuestruara në shtëpinë e familjes Di Vita në Pietracatella, si edhe veshje, mobilie dhe sende të tjera të banesës.



