Mediat greke kanë bërë publike videon që tregon momentin kur Stavroula Leventaki shkon të takojë 43-vjeçarin, i cili tashmë ka pranuar vrasjen e saj.

“ProtoThema” shkruan se në pamjet e regjistruara nga një kamerë sigurie më 30 maj, në orën 16:18, shihet gruaja fatkeqe duke ecur në rrugën përpara shtëpisë që ajo ia kishte dhënë me qira shtetasit nga Maqedonia e Veriut, në zonën e Varypetro, në Chania.

Fillimisht, Stavroula shfaqet në pamje duke mbajtur disa qese dhe duke ecur drejt hyrjes së banesës, ndërsa lëvizja e saj zgjat rreth një minutë.

Leventaki përshkon një distancë prej rreth 80 metrash deri te shtëpia ku, sipas rrëfimit të 43-vjeçarit të akuzuar, u krye krimi.

Sendet që ajo mbante me vete u gjetën më vonë brenda banesës. Ajo që bie në sy është se ecja e Stavroulës zgjat afërsisht një minutë dhe më pas gjurmët e saj humbasin. Vetëm pas rrëfimit të autorit të dyshuar, ajo u gjet e vdekur.

Ndërkohë, detaje të reja po dalin në dritë lidhur me vrasjen e 45-vjeçares në Kretë, e cila dyshohet se u vra nga 43-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.

Fotografitë nga brenda shtëpisë ku ndodhi krimi tregojnë hetimet e kryera nga autoritetet dhe zbulimin e njollave të gjakut nga policia, e cila përdori metodën e njohur si “blue light” (drita blu) për identifikimin e gjurmëve biologjike.

Sipas informacioneve të publikuara nga “ProtoThema”, gjurmë gjaku të gruas së ndjerë u gjetën edhe në vende ku ndodheshin letra dhe sende personale, çka tregon ashpërsinë e sulmit.

Gjatë kontrolleve në banesë, hetuesit zbuluan gjurmë gjaku në disa ambiente të ndryshme, pavarësisht përpjekjeve të dyshuara për t’i pastruar ato. Sipas hetimeve, autori i dyshuar kishte tentuar të fshihte provat e krimit duke pastruar shtëpinë me leckë, kovë dhe detergjente.

Megjithatë, ekspertët e Shërbimit Kriminalistik arritën të zbulojnë gjurmët e gjakut duke përdorur metoda të veçanta për identifikimin e materialit biologjik, të njohura si “blue light”, të cilat zbulojnë gjurmë edhe kur më parë janë bërë përpjekje për pastrim.

Gjetjet e hetimeve pritet të përbëjnë prova kyçe në dosjen hetimore të çështjes, ndërsa autoritetet po vazhdojnë të shqyrtojnë çdo aspekt të vrasjes së rëndë që ka tronditur komunitetin lokal në Kretë