Një 43-vjeçar që kishte marrë me qira shtëpinë e Stavroula Leventakit, ka pranuar vrasjen e saj. Pas krimit të rëndë, ai e kishte varrosur trupin e gruas në një arë, rreth pesë kilometra larg banesës.

Nga informacionet e para është raportuar se, Stavroula Leventaki kishte plagë me thikë në kraharor dhe një goditje në kokë, që dyshohet se i ishte shkaktuar nga një objekt metalik. Qiramarrësi pretendoi se ishte grindur me gruan sepse ajo kishte shkaktuar dëme në banesë.

Gjatë sherrit, ai e goditi me thikë dhe e vrau. Më pas, e futi trupin në një qese dhe e transportoi me makinën e tij në vendin ku e varrosi. Megjithatë, policia po e shqyrton me rezervë pretendimin e tij për shkakun e konfliktit dhe po heton edhe mundësinë që motivi i krimit të ketë qenë seksual.

Pas një nate jashtëzakonisht të vështirë hetimesh, efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Zbardhjes së Krimeve në Hania arritën të sigurojnë rrëfimin e shtetasit nga Maqedonia e Veriut, i cili thuhet se përshkroi me hollësi gjithçka që ndodhi mëngjesin e 30 majit.

I akuzuari u tregoi policëve vendin ku kishte fshehur trupin e 45-vjeçares Stavroula Leventaki. Aktualisht, forca të shumta policore dhe specialistë të kriminalistikës ndodhen në zonën Vatolakos të Hanias, ku u gjet gruaja fatkeqe. Hetimet janë në zhvillim të plotë, ndërsa pritet njoftimi zyrtar i Policia Greke mbi rrethanat e krimit dhe provat që çuan në zbardhjen e plotë të çështjes, e cila tronditi Hanian dhe mbarë ishullin e Kretës.