Autoritetet në Malin e Zi kanë nisur hetimet në lidhje me deklaratat e bëra një ditë më parë nga kryeministri në detyrë, Drtian Abazoviç, i cili tha se Zoran Lazoviç dhe biznesmeni Ranko Uboviç donin ta vrisnin.
“Policët e Sektorit të Policisë për Qëllime të Posaçme, Departamenti për sigurimin e personave të mbrojtur shtëpiak, në vazhdimësi ndërmarrin masa të parapara për mbrojtjen e sigurisë për personat e mbrojtur, ndër të tjera, edhe në raport me kryetarin e Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Në këtë kuptim, zhvillimi i situatës së sigurisë monitorohet çdo ditë dhe shqyrtohen të gjitha dukuritë, rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë që ndikojnë ose mund të ndikojnë në sigurinë e menjëhershme të personit të mbrojtur. Varësisht nga të gjitha të dhënat dhe konstatimet që kanë të bëjnë me sigurinë e personit të mbrojtur, ndërmerren masat dhe veprimet e duhura të mbrojtjes së sigurisë, të cilat paraqesin përgjigje adekuate ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë”, njoftoi policia.
Më 13 dhjetor, Abazoviç para gazetarëve ka komentuar padinë që agjenti sekret në pension dhe pronari i kompanisë “Bemaks” kanë ngritur kundër tij, duke kërkuar 21 mijë euro dëmshpërblim për pretendimet se janë përfshirë në kontrabandë droge dhe cigaresh.
“Unë kurrë nuk e bëj veten viktimë dhe as nuk kam frikë nga njerëz të tillë. Ata duan likuidimin e kryeministrit. Ata nuk duan 21 mijë euro, nuk u duhen para, vetëm gojët e vdekura nuk flasin”, ka thënë Abazoviç, duke u thënë megjithatë se janë vonuar.
Përfaqësuesi ligjor i Llazoviçit dhe Uboviçit, avokati Zoran Piperovic, e pyeti kryeministrin se ku e kishte ditur se klientët e tij donin ta vrisnin, por edhe nëse i kërcënonte me shprehjen “se është vonë për ta”. Në përgjigjen e tij ai ka shkruar se ajo që ka thënë Abazovic është një verbalizëm i keq që mund të ketë pasoja të padëshiruara, në radhë të parë për Lazoviçin dhe Uboviçin.