Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikën, ku deputeti federal Zeniazen Escobar, 42 vjeç, është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në shtetin e Veracruz.
Escobar u gjet në sediljen e shoferit, ndërsa makina ishte e parkuar në anë të rrugës. Pranë trupit të tij u gjet edhe një armë zjarri.
Autoritetet lokale konfirmuan se deputeti kishte humbur jetën si pasojë e një të shtëne me armë zjarri. Megjithatë, deri në këtë fazë, nuk është bërë e qartë nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo vetëvrasje.
Ministri i Brendshëm i Veracruz, Ricardo Auet, deklaroi se hetimet janë ende në fazat e para dhe se autoritetet nuk mund të japin më shumë detaje për rrethanat e ngjarjes.
Zeniazen Escobar kishte një karrierë të gjatë në sektorin publik. Përpara se të zgjidhej deputet, ai kishte punuar si mësues, kishte drejtuar një sindikatë dhe kishte shërbyer si ministër i Arsimit në Veracruz nga viti 2018 deri në vitin 2021.
Në shtator të vitit 2024, Escobar u zgjodh deputet në Kongresin federal të Meksikës.
Ngjarja ka ndodhur në Veracruz, një prej shteteve me nivel të lartë të dhunës në Meksikë, ku aktiviteti i grupeve kriminale dhe trafiku i drogës kanë shkaktuar prej vitesh përplasje dhe episode të shumta të dhunshme.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes së deputetit dhe për të përcaktuar nëse ai është vrarë apo nëse bëhet fjalë për vetëvrasje.


