Policia e Katarit duket se po e kthen në një “gjueti shtrigash” kontrollin për simbolet pro komunitetit LGBTQ, gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

Teksa më herët u raportua për kërcënime që i ishin bërë kombëtares gjermane për të mos mbajtur shiritin me ngjyrat e ylberit, së fundmi është regjistruar një tjetër episod që ka sjellë polemika të forta.

Gjatë kontrolleve, policia ka ndaluar dy tifozë brazilianë, duke u sekuestruar atyre flamurin. Në fakt tifozët posedonin flamurin e Pernambukos, por policia e ka ngatërruar me flamurin LGBT.

Në fakt flamuri i Pernambukos ka në mesin e tij një ylber dhe ka qenë pikërisht ky detaj që e ka ngatërruar policinë. Duke marrë shkas nga ky episod (që është incidenti i radhës), FIFA ka vendosur që nuk do të ndalohet më asnjë flamur dhe tifozët mund të futen lirisht në stadium me flamujt LGBT.