Shkencëtarja e NASA-s, Ingrid Honkala, i ka habitur të gjithë kur ka deklaruar se ka kaluar tre përvoja pranë vdekjes dhe e përshkruan atë që sipas saj, përjetoi ‘në anën tjetër’.

55-vjeçarja me origjinë nga Bogota e Kolumbisë thotë se është gjendur tri herë në prag të vdekjes dhe se çdo herë është kthyer me të njëjtën ndjesi të fortë: se “vdekja nuk duket si fund”.

Sipas shkencëtares, këto përvoja ndryshuan rrënjësisht mënyrën si e percepton jetën, vetëdijen dhe atë që shumë njerëz e quajnë “ekzistencë pas vdekjes”.

“Ishte sikur po hyja në një nivel më të thellë të realitetit, përtej shqisave tona fizike”, deklaroi ajo për “Jam Press”, duke shtuar: “Vetëdija dukej e pafundme, inteligjente dhe e lidhur me gjithçka”.

Ingrid Honkala, e cila ka doktoraturë në Shkencat Detare dhe ka bashkëpunuar me NASA-n dhe Marinën Amerikane, thotë se përvoja e parë ndodhi kur ishte vetëm dy vjeçe.

Aksidenti që ndryshoi gjithçka

Sipas rrëfimit të 55-vjeçares, ajo ra në një depozitë me ujë të ftohtë në shtëpinë e familjes, pa u vënë re nga dadoja që ndodhej në një dhomë tjetër. Nëna e saj u kthye në shtëpi në momentin e fundit dhe arriti ta shpëtonte.

Megjithatë, shkencëtarja thotë se gjatë atyre çasteve pa ndjenja, përjetoi diçka që nuk e harroi kurrë.

Fillimisht ndjeu panik dhe vështirësi në frymëmarrje, por shumë shpejt, siç tregon vetë, frika u zëvendësua nga një ndjenjë e pazakontë qetësie.

“Paniku u zhduk dhe në vend të tij erdhi një qetësi e thellë dhe një ndjesi absolute paqeje”, rrëfen Honkala, e cila i ka përshkruar këto eksperienca në librin e saj “Dying To See The Light”.

Ajo pretendon se në ato momente ndjeu sikur vetëdija e saj u nda nga trupi.

“Nuk ndihesha më si një fëmijë brenda trupit, por si vetëdije e pastër, si një fushë drite dhe ndërgjegjeje”, shprehet ajo dhe më pas shton: “Nuk ekzistonin koha, frika apo mendimet”.

Sipas saj, mund të shihte trupin e saj që notonte në ujë dhe beson se arriti të “komunikonte” mendërisht me nënën e saj, e cila në atë moment po shkonte drejt punës së re.

“Më kujtohet të mendoja: ‘Kjo është mamaja ime’”, tregon ajo. “Nuk ishte komunikim me fjalë, por përmes vetëdijes”.

55-vjeçarja thotë se nëna e saj ndryshoi papritur drejtim dhe u kthye në shtëpi, ku e gjeti pa ndjenja në depozitën me ujë.

“Nuk pata më frikë nga vdekja”

Shkencëtarja shprehet se pas asaj dite nuk e ka pasur frikë vdekjen.

“Kjo përvojë më tregoi se ajo që quajmë ‘jetë pas vdekjes’ nuk dukej si një vend i largët”, shpjegon ajo dhe shton: “Më krijoi ndjesinë se vetëdija mund të mos prodhohet vetëm nga truri”.

Ajo tregon se më pas përjetoi edhe dy episode të tjera pranë vdekjes: një i dytë pas një aksidenti të rëndë me motor kur ishte 25 vjeçe dhe një tjetër në moshën 52-vjeçare, kur tensioni i saj ra në nivele kritike gjatë një operacioni.

Në të tre rastet, thotë se përjetoi të njëjtën ndjesi “paqeje” dhe “vetëdijeje të zgjeruar”.

Marrëdhënia mes shkencës dhe spiritualitetit

Megjithëse rrëfimet e saj kanë elemente të forta shpirtërore dhe metafizike, Honkala këmbëngul se pikërisht këto përvoja e shtynë të ndiqte rrugën e shkencës.

“Doja të kuptoja natyrën e realitetit përmes vëzhgimit dhe kërkimit shkencor”, deklaron ajo duke shtuar: “Për shumë vite u përqendrova vetëm te karriera ime shkencore dhe rrallë flisja publikisht për këto përvoja”.

Sot ajo beson se shkenca dhe spiritualiteti nuk janë domosdoshmërisht në konflikt:

“Ndoshta thjesht po eksplorojnë të njëjtin mister nga këndvështrime të ndryshme”.

Nga ana tjetër, shkencëtarët që studiojnë përvojat pranë vdekjes theksojnë se këto eksperienca mund të lidhen me reagime neurologjike të trurit, halucinacione apo mekanizma psikologjikë mbrojtës përballë rrezikut ekstrem.

Shumë njerëz që kanë kaluar eksperienca të ngjashme kanë përshkruar drita të forta, të afërm të ndjerë ose figura fetare.

Megjithatë, Honkala këmbëngul se ajo që përjetoi nuk ishte imagjinatë:

“Këto përvoja ndryshuan plotësisht mënyrën si e kuptoj jetën. Në vend që t’i shoh njerëzit si individë të izoluar që luftojnë për të mbijetuar, fillova të besoj se ndoshta jemi shprehje të një vetëdijeje më të madhe që përjeton jetën përmes trupit fizik”.

“Nga ky këndvështrim, vdekja nuk duket si fund. Duket më shumë si një kalim drejt vazhdimësisë së vetëdijes”, përfundon 55-vjeçarja.