Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia është vënë nën akuza të rënda për kryerjen e krimeve të luftës, akuza të cilat u përforcuan pas gjetjes së dhjetëra trupave të vdekur me shenja torture në Bucha.

Rusia vijon t’i mohojë krimet, megjithatë, së fundmi një deklaratë nga një gjeneral i ushtrisë së Vladimir Putin, Nikita Chibrin, ka shokuar botën, teksa ka treguar për ish-njësinë e tij dhe krimet që kanë kryer.

Rrëfimin e tij ai e nis duke kujtuar momentin kur ushtarët e tij përdhunuan dy gra ukrainase gjatë vendosjes së tyre në veriperëndim të Kievit në mars. Komandantët e tij ‘bënë një sy qor e një vesh shurdh’ për këtë që kishte ndodhur. Përdhunuesit, tregon ai, nuk u dënuan kurrë. 

“I pashë të vraponin, më pas mësova se ishin përdhunues. Ata përdhunuan një nënë dhe një vajzë. Ata nuk u burgosën kurrë.  Ata thjesht u përjashtuan nga lufta. Kjo ishte”, tha ai. 

Chibrin është një ish-ushtar nga qyteti rus i Yakutsk, i cili thotë se ka shërbyer në Brigadën e 64-të të Gardës së Veçantë të Pushkës Motorike, njësia famëkeqe ushtarake ruse e akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës gjatë ofensivës së tyre në Bucha, Borodianka dhe qytete e fshatra të tjera në veri të Kievit. Ai dezertoi nga ushtria ruse në shtator dhe iku në Evropë përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

Trupat nga brigada e Chibrin u etiketuan si kriminelë lufte nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në prill, pasi u zbuluan varreza masive që përmbanin civilë të vrarë dhe trupa të vdekur të shtrirë në rrugë pas tërheqjes së forcave ruse nga rajoni i Kievit.

Dokumentet ushtarake të Chibrin, tregojnë se komandanti i tij ishte Azatbek Omurbekov, oficeri i ngarkuar me Brigadën e 64-të të Pushkës me Motor të Gardës. Omurbekov, i njohur si “Kasapi i Buçës” është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar. 

“Unë nuk pashë vrasje, por pashë përdhunues që largoheshin nga ushtria.” tha ai.

Sipas Chibrin, burrat në njësinë e tij ishin të papërgatitur për luftime. Ai tha se trajnimi i njësisë së tij përbëhej nga komandantët duke u dhënë atyre një armë, një objektiv dhe 5,000 plumba. Duke vijuar me rrëfimin e tij, Chibrin tregoi se mungesa e trajnimit u bë e dukshme në Ukrainë. Të njëjtët burra që mburreshin se ishin “si Rambo” përpara se të dërgoheshin, u kthyen të thyer. 

“Ata që thanë se do të qëllonin me lehtësi ukrainasit, kur të ktheheshin nga vijat e frontit … ata as që mund të flisnin me mua. Ata panë luftën, panë disfatën, panë luftëtarët e tyre duke u vrarë, panë kufoma. Ata e kuptuan – por nuk mundën të iknin.”, tregoi ai. 

Ai tha se shumë nga burrat ishin të trajnuar dobët dhe shumica nuk e kishin idenë se ku po shkonin.

“Ishte një gënjeshtër e madhe. Ishte një stërvitje ushtarake me ushtrinë bjelloruse. Dhe na kanë gënjyer. Më 24 shkurt ata thjesht thanë se të gjithë do të shkojnë në luftë,Gjëja e parë që thashë ishte: “Komandant, ik p****, nuk dua të shkoj në luftë” dhe ai më tha: ‘Hej, do të kesh probleme të mëdha, do të shkosh në burg dhe familja jote do të ketë probleme të mëdha’… dhe ai më sulmoi dhe më futi në një automjet special dhe mbylli derën. Dhe nuk mund ta hapja nga brenda. Kështu, kështu shkova në Ukrainë”, tha Chibrin, duke shtuar se ai fillimisht refuzoi të shkonte.

Chibrin vazhdoi të kalonte muaj në Ukrainë, pa pushim. Kur Brigada e 64-të e Gardës së Veçantë të Pushkës Motorike u tërhoq në fund të marsit nga zona në veriperëndim të Kievit, pas ofensivës së dështuar atje, ai dhe njësia e tij u kthyen në Bjellorusi.

Ai tha se vuante nga një dëmtim në shpinë dhe shkoi në një spital ushtarak në Rusi, por u detyrua të kthehej në Ukrainë në maj. Këtë herë ai u dërgua në rajonin e Kharkiv në Ukrainën lindore, dhe më pas kaloi kohë në pyjet përreth Izyum. Duke e ditur se duhej të shkonte sa më larg që të ishte e mundur nga qyteti i largët lindor i Khabarovsk ku ishte vendosur, Chibrin fillimisht iku nëpër Rusi për në Shën Petersburg dhe më pas mori një tren për në Bjellorusi. Pasi ishte atje, ai ishte në gjendje të gjente një ndërmjetës që e ndihmoi të shkonte në Kazakistan nga ku më në fund udhëtoi për në vendndodhjen e tij aktuale, e cila mbetet sekret për arsye sigurie.