Vendimi i qeverisë Meloni për ndërprerjen e ndihmës sociale për personat e papunësuar ka shkaktuar revoltë në Itali.

Mes pakënaqësive në rritje, një 60-vjeçar kërcënoi se do digjte zyrat e një Bashkie në Palermo. 60-vjeçari Italian tentoi të djegë godinën e bashkisë në Terasini të Palermos, si shenjë protestë për ndërprerjen e ndihmës sociale!

Siç raportojnë mediat në vendin fqinj, sapo kishte marrë lajmin se do të humbiste të ardhurat bazë, burri kishte shkuar në zyrën e kryebashkiakut me një shishe benzinë. Ndërsa ai e ka derdhur benzinën në ambientet e zyrës dhe ka kërcënuar se do i vinte flakën, punonjësit e bashkisë janë përpjekur të dialogojnë me të për ta qetësuar.

Pas debateve dhe momenteve të tensionit, ata e kanë bindur të heqë dorë nga akti. Më pas, i moshuari  është shoqëruar nga efektivët e policisë dhe mjekët në spital, ku sipas mediave italiane, është shfaqur në gjendje konfuze.

Vendimi i qeverisë së Giorgia Meloni që çdo institucion italian i sigurimeve shoqërore të ndalojë ndihmën sociale për qytetarët e papunë dhe me të ardhura të ulëta, ka shkaktuar shumë pakënaqësi në Itali. Kjo situate është pasuar edhe me protesta lokale të cilat italianët kanë kërcënuar se nuk do t’i përshkallëzojnë.

Qindra-mijëra familje janë njoftuar përmes një SMS-je nga instituti Italian i sigurimeve shoqërore për ndërprerjen e ndihmës.