Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri , njoftoi heqjen e policisë së moralit. Vendimi është marrë nga autoritetet kompetente siç raporton agjencia iraniane e lajmeve Isna.

Kjo është një pikë kthese në vend, pasi në fakt po rishikohet legjislacioni që ishte në fuqi që nga viti 1983, i cili në shumë raste çoi në ngjarje çnjerëzore.

Një e tillë ishte rrahja fatale e 22-vjeçares Mahsa Amini shtatorin e kaluar nga policia morale. Një ngjarje që shkaktoi një valë të zgjatur reagimesh sociale dhe protesta masive që, siç e kuptuan autoritetet iraniane, rezultuan me shumë vdekje.

Policia e moralit u krijua nën presidentin ultrakonservator të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad për të përhapur kulturën e modestisë dhe hixhabit. Ajo përbëhet nga burra me uniformë jeshile dhe gra të veshura me çador të zi, një veshje që mbulon kokën dhe pjesën e sipërme të trupit.

“Policia morale nuk ka asnjë lidhje me gjyqësorin dhe është shfuqizuar nga autoritetet që e kanë krijuar atë”, tha prokurori Montazeri në një konferencë për shtyp në qytetin e shenjtë të Qom.

Kujtojmë se shamia u bë e detyrueshme në Iran katër vjet pas revolucionit islamik të vitit 1979. Sipas ligjit të vitit 1983, gratë në Iran, iraniane dhe të huaja, pavarësisht nga feja e tyre, duhet të mbanin shami dhe veshje të gjera në publik.