BBC ka publikuar një raport ku ka zbuluar realitetin dramatik me të cilin po përballen shumë familje në Afganistan. Varfëria ekstreme, papunësia dhe borxhet, po i detyrojnë prindërit të marrin vendime të tmerrshme, deri në shitjen e fëmijëve të tyre për të siguruar mbijetesën.

Qindra burra mblidhen në një shesh me pluhur në Chaghcharan, kryeqytetin e provincës Ghor në Afganistan. Ata rreshtohen buzë rrugës me fytyra të lodhura, duke shpresuar se dikush do të vijë dhe do iu ofrojë ndonjë punë. Kjo do të përcaktojë nëse familjet e tyre do të ushqehen atë ditë.

Megjithatë, gjasat e suksesit janë të ulëta.

Juma Khan, 45 vjeç, ka gjetur vetëm tre ditë punë në gjashtë javët e fundit, duke marrë një pagesë prej 150-200 afganë në ditë.

“Fëmijët e mi shkuan në shtrat të uritur tre net rresht. Gruaja ime po qante, ashtu edhe fëmijët. Kështu që iu luta një fqinji për disa para për të blerë miell”, ka treguar ai, i cili ka shtuar:

“Jetoj me frikën se fëmijët e mi do të vdesin nga uria”.

Historia e tij nuk është aspak unike

Në Afganistan sot, një shifër marramendëse prej tre në katër persona nuk mund të përmbushin nevojat e tyre themelore, sipas Kombeve të Bashkuara. Papunësia është e përhapur, kujdesi shëndetësor po vuan dhe ndihma që dikur siguronte gjërat themelore për miliona njerëz është pakësuar në një pjesë të vogël të asaj që ishte dikur.

Vendi tani po përballet me nivele rekord të urisë, me 4.7 milionë – më shumë se një e dhjeta e popullsisë së Afganistanit – që vlerësohet të jetë një hap larg urisë.

Ghor është një nga provincat më të prekura. Burrat këtu janë të dëshpëruar.

“Mora një telefonatë që më tha se fëmijët e mi nuk kishin ngrënë për dy ditë”, thotë Rabani me zë të ngjirur, duke shtuar:

“Ndjeva sikur duhej të vrisja veten. Por pastaj mendova se si do ta ndihmonte kjo familjen time? Kështu që ja ku jam duke kërkuar punë”.

Ndërkohë Khwaja Ahmad mezi nxjerr disa fjalë para se të fillojë të qajë me dënesë.

“Po vdesim urie. Fëmijët e mi më të mëdhenj vdiqën, kështu që duhet të punoj për të ushqyer familjen time. Por jam i moshuar, kështu që askush nuk do të më japë punë”, thotë ai.

Kur hapet një furrë buke lokale pranë sheshit, pronari shpërndan bukë të ndenjur midis turmës. Brenda pak sekondash, bukët janë copëtuar, gjysmë duzine burrash kapen pas copave të çmuara.

Papritur ndodh një tjetër rrëmujë. Një burrë me motoçikletë vjen duke dashur të punësojë një punëtor për të transportuar tulla. Dhjetëra burra i hidhen atij. Në dy orët që qëndruam atje, vetëm tre burra u punësuan.

Një nga rastet më prekëse është ai i Abdul Rashid Azimit, i cili pranoi se kishte menduar të shiste vajzat e tij binjake 7-vjeçare, Rokia dhe Rohilla, për të ushqyer pjesën tjetër të familjes.

Në intervistën për BBC, Azimi përshkruan dëshpërimin që e çoi drejt këtij vendimi ekstrem, duke thënë se kishte menduar t’i shiste vajzat ose për martesë, ose për shfrytëzim seksual.

“Jam i varfër, jam në borxhe dhe nuk mund të gjej punë. Kthehem në shtëpi i uritur dhe fëmijët e mi kërkojnë bukë. Nuk di çfarë të bëj”, shprehet ai mes emocionesh. Sipas tij, shitja e njërës prej vajzave do t’i siguronte familjes ushqim për katër vite. Edhe pse e konsideron një vendim të dhimbshëm, ai thotë se nuk sheh rrugë tjetër për mbijetesë.

Raporti i BBC-së thekson se në Afganistan vajzat janë më të rrezikuara për shkak të faktorëve kulturorë dhe ekonomikë. Djemtë konsiderohen si mbështetësit e ardhshëm të familjes, ndërsa kufizimet e vendosura nga talebanët ndaj arsimimit dhe punësimit të grave e kanë përforcuar më tej këtë mentalitet.

Po ashtu, tradita e prikës krijon barrë shtesë financiare për familjet që kanë vajza. Një tjetër histori dramatike është ajo e Saeed Ahmedit, i cili u detyrua t’ia shiste vajzën e tij 5-vjeçare një të afërmi për të mbuluar shpenzimet mjekësore të një operacioni për apandesit dhe një cist në mëlçi.

Babai tregoi se mori një pjesë të pagesës menjëherë për trajtimin e vajzës, ndërsa pjesa tjetër do të paguhej me këste, me kushtin që vajza të martohej me djalin e të afërmit sapo të mbushte 10 vjeç. Ai pranon se nuk do ta kishte marrë kurrë këtë vendim nëse do të kishte pasur para, por beson se ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar jetën vajzës së tij.

Raporti thekson se deri dy vite më parë, familje si ajo e Saidit merrnin ndihma ushqimore që përfshinin produkte bazë si miell, vaj dhe thjerrëza. Megjithatë, shkurtimet drastike të ndihmës humanitare nga SHBA dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Britaninë, kanë reduktuar mbështetjen me rreth 70% gjatë vitit 2026 krahasuar me vitin 2025.

Sipas BBC-së, kjo ka përkeqësuar ndjeshëm krizën humanitare në Afganistan dhe ka shtyrë shumë familje drejt zgjidhjeve ekstreme për të mbijetuar. Historitë e këtyre familjeve pasqyrojnë krizën e thellë sociale dhe ekonomike që po përjeton popullsia afgane, ku mungesa e ushqimit dhe e mbështetjes po i detyron prindërit të sakrifikojnë të ardhmen dhe të drejtat e fëmijëve të tyre.