Një tragjedi familjare ndodhi të shtunën në mëngjes në një autostradë në Seine-Saint-Denis, pranë Parisit, teksa një baba 63-vjeçar dhe djali i tij 27-vjeçar humbën jetën pas një aksidenti tragjik rrugor.

Mediat e huaja shkruajnë se, të dy po udhëtonin me një “Lamborghini Aventador”, i cili dyshohet se po lëvizte me 200 km/orë, kur, në rrethana ende të paqarta, u përplas me një makinë tjetër. Automjeti u nda në dysh dhe më pas u përfshi nga flakët.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Paris Match”, automjeti tjetër, i cili përfundoi i përmbysur në mes të rrugës, transportonte katër persona.

Të katër u plagosën dhe janë shtruar në spital, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Supermakina, e cila thuhet se ishte marrë me qira, kishte zhvilluar një shpejtësi marramendëse përpara incidentit tragjik në autostradën A3, midis Romainville dhe Montreuil, në Seine-Saint-Denis.

Zyra e Prokurorit të Bobigny-t nuk e specifikoi shpejtësinë e automjetit, por raportoi se shoferi dhe pasagjeri po udhëtonin me një shpejtësi “mbi” kufirin e lejuar.

Babai, i cili po drejtonte automjetin, humbi jetën menjëherë si pasojë e përplasjes së fuqishme. Djali i tij, i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit, mbeti i bllokuar brenda makinës dhe humbi jetën nga zjarri që shpërtheu në automjet.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale kanë kapur momentet dramatike menjëherë pas aksidentit fatal. “Lamborghini Aventador” i gjelbër ishte shkatërruar plotësisht dhe ishte përfshirë nga flakët. Ndërkohë, një re e dendur tymi të zi ngrihej në qiell.

Pasi zjarri u shua, nga supermakina kishte mbetur vetëm një masë hekuri e deformuar. Autoritetet po kryejnë hetime për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit rrugor.