
Koronavirusi vijon të marrë jetë ku në 24 orët e fundit 2 viktima, 58 dhe 59 vjeçe humbën betejën me virusin.
Por burime konfidenciale i thanë gazetës “Shqip” se një nga viktimat është dërguar me urgjencë mesnatën e djeshme në spitalin infektiv, pas një ndërhyrje në zemër që kreu në një spital privat në Tiranë.
Burimet thanë se rreth orës 23:00 të djeshme, pacientja kishte shfaqur shqetësime nga zemra, shtrëngim dhe dhimbje gjoksi. Dyshimet e para ishin për infarkt dhe familjarët, nisur nga ora e vonë, i besuan shërbimit privat.
“Gruaja i është nënshtruar ndërhyrjes në zemër duke vendosur stendat pasi dyshimet ishin se kishte kaluar para infarkt”, thanë burimet.
Sipas urdhrit të ministrisë së Shëndetësisë, klinikat dhe spitalet private duhet të kryejnë testin e shpejtë të Covid -19 për pacientët që kryejnë ndërhyrje, por siç duket kjo nuk është respektuar, pasi pacientes 58-vjeçare i është bërë testi vetëm pas përfundimit të ndërhyrjes.
“Gruaja kishte vetëm pak kollë ndërsa i shoqi ka pasur temperaturë prej disa ditësh e po ashtu dhe vajza e tyre, por pas analizës ajo rezultoi e infektuar me koronavirus. Pas kësaj e kanë transferuar me urgjencë në spitalin infektiv në QSUT”, thanë burimet për “Shqip”.
Po pse spitalet private nuk respektuan protokollin? Duket se etja për fitim ka tejkaluar rregullat duke cenuar deri dhe jetën e pacientit.
Askush nuk di të thotë sa prej pacientëve që kanë humbur jetën dhe që kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese, janë testuar para apo pas ndërhyrjeve kirurgjikale që kanë kryer në këtë periudhë pandemie.
Ditët e fundit, ishte vetë qendra më e madhe spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë vatër infeksioni nga koronavirus, ku disa shërbime si kirurgjia apo shërbimet interne (hematologjia, hepatologjia) u shndërruan në burim infeksioni ku humbën jetën shumë pacientë dhe u infektuan dhe personel mjekësor.

