Sot pritet që të mbyllet odiseja dy javore e negociatave të formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev pritet të takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për t’i bërë të ditur se e ka arritur shumicën për krijimin e qeverisë së re.


Siç mësohet nga burime pranë BDI-së, partia e Ali Ahmetit pret të thotë fjalën e saj të fundit pas takimit që pritet të zhvillohet nesër me partitë e tjera shqiptare.


Ndërkaq, deklaratat e dhëna në mediat shqiptare nga dy ish-ministrat e jashtëm të Shqipërisë; Paskal Milo e Besnik Mustafaj, në favor të një koalicioni mes Zaevit e Ali Ahmetit nuk se janë pritur mirë në Shkup.


Fejzi Hajdari, drejtor i gazetës Lajm ka kritikuar këtë qasje të dy personaliteteve nga Tirana. “E dija se këtyre ditëve do të paraqiten analistë nga Shqipëria, madje dhe nga Kosova (si puna e Paskal Milos, dikur Besnik Mustafaji e disa ANAListë nga Tirana dhe Prishtina), për të na shitur mendë, e të cilëve jam i sgurtë dhe ju betohem në gjënë më të shtrenjtë se kurrë nuk ua ndien për shqiptarët e Maqedonisë, përveç kur duhet ta lëpijnë atë që e ka pështyer (gënjyer) BDI-ja. #50EuroTarifa”,  shkruan Hajdari duke bërë të ditur se ata politikanë nga Tirana që flasin pëe zhvillimet në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e lobimit të partive.


Hajdari sulmon gjithashtu edhe gazetarin Ben Andoni, i cili flet për një koalicion me BDI-në. Madje e quan edhe serb pa asnjë fakt. Pasi realisht LSDM dhe BDI kanë arritur siç duket akordin e qeverisjes, dhe këtë pritet ta bëjnë publike sot ose nesër, por polemikat për komentet duket se kanë shpërndarë një shije të keqe.


Ngaqë çdo koment që ka ardhur nga Shqipëria vjen si pjesë e një logjike të përbashkët komentimi të hapësirës shqiptare.


Ka edhe analistë nga Kosova e Maqedonia e Veriut që komentojnë zhvillimet në Tiranë si Kim Mehmeti, Baton Haxhiu, Berat Buzhala etj, e kjo nuk është parë si ndonjë zhvillim negativ, por si qasje e përbashkët.