Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas lajmit se Kosova ka nënshkruar ditën e sotme aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit serb kërkon llogari nga ndërkombëtarët, duke lënë të kuptohet se Kosova, sipas tij, nuk po respekton asnjë nga marrëveshjet e arritura më herët, ndërsa ka kërkuar nga Perëndimi që “t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.

“Të dashur qytetarë të Serbisë, tashmë e dini se unë i kam kërkuar partnerëve tanë perëndimorë të më thonë se cilin nga pesë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë: Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e Kombeve të Bashkuara, Rezolutën 12 44, Marrëveshjen e Brukselit apo Uashingtonin. Marrëveshje.

Kemi ardhur te dokumenti i gjashtë shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Dhe pikërisht në dritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të Kosovës, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet që kemi sjellë ne vetë, qoftë edhe atë historik nga Selaniku, sepse pika e pestë e dokumentit të Selanikut thotë se mbështet plotësisht zbatimin e rezolutës 12 44. Pra, pyetja ime nga sot është: cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të jemi plotësisht dakord.”, tha Vuçiç.