Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur pas përfundimit të takimit me përfaqësuesin e BE, Josep Borell dhe të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak.

Vuçiç ka deklaruar se ai nuk e shikon të nevojshëm një takim me kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas tij mes tyre nuk ka asgjë për të diskutuar.  Ai cilësoi Kosovën si fëmijën e përfaqësuesve europianë, ndërsa shtoi se ky fëmijë tashmë është një “adoleshent i çmendur”.

“Unë kam ardhur gjithmonë në çdo bisedë sepse besoj se dialogu është i rëndësishëm dhe shërues. Për momentin nuk shoh asnjë arsye për t’u takuar me një njeri që shkakton konflikte çdo ditë, është ideologjia e tij fanatike, mendoj se kështu do të bëja dëm. Unë jam gjithmonë i gatshëm të flas me përfaqësuesit evropianë. Duhet ta kuptojmë, Kosova nuk ra nga qielli. Ajo që nuk është për ne, për numrin më të madh të vendeve të BE-së është një shtet i pavarur. Është fëmija i tyre, adoleshenti u çmend, arriti në një moshë të çmendur, por ata ende e mbrojnë fëmijën e tyre.

Pozicioni ynë është shumë i vështirë, gjithçka që vlen për Ukrainën nuk vlen për Serbinë. Duhet të mësohemi me të. Sa i përket përfaqësuesve, nuk kam asnjë kundërshtim, shtetet anëtare duhet të jenë të kënaqur. Për çfarë duhet të fajësojnë Serbinë? Na takon ne të bëjmë punën tonë dhe të përpiqemi të jemi të drejtë, të ruajmë stabilitetin. Ajo që ne kërkojmë është diçka që të gjithë kërkojnë – thjesht një marrëdhënie normale, asgjë më shumë”- tha Vuçiç.