Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me rastin e rëndë në Graçanicë të Kosovës, ku një një vajzë 21-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht, e më pas është shantazhuar nga i dyshuari që kishte filmuar aktin.

Hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit kanë nisur, ndërkohë që sipas “Sinjali” është mësuar identiteti i të dyshuarit, i cili është nga komuna e Gjilanit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është Melos Ajvazi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Sipas informacioneve të para, vajza ka rrëfyer detaje të tmerrshme se si e dyshuari e ka filmuar gjatë aktit me të, në mënyrë që ta kërcënonte dhe shantazhonte për t’i marrë edhe para.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë hetuesve policorë, i dyshuari i ka kërkuar rreth 1 mijë euro vajzës, me kusht që pamjet që i posedonte të mos publikoheshin.

Si rezultat i denoncimit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë vënë në lëvizje për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.

Pas përfundimit të procedurave policore, hetimet kanë nisur në drejtim të dy veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Shantazh’.

Rasti është bërë i ditur edhe nga Policia e Kosovës, është konfirmuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është në komisariat.