Kryeministri, Albin Kurti mund të dëshmojë në mbrojtje të Dragisha Milenkoviç, i arrestuar në Kosovë, nën akuzë për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Mediat serbe raportojnë se gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua ditën e djeshme (9 gusht) në Prishtinë, avokati Dejan Vasiç ka kërkuar thirrjen e një dëshmitari mbrojtës, që sipas tij, është kryeministri Kurti.
Ishte vetë avokati që konfirmoi se parimisht kanë rënë dakord me prokurorinë për zbatimin e kësaj kërkese. Sipas mediave serbe, avokati ka deklaruar që Kurti ka qenë në paraburgim kur Milenkoviç ishte punonjës i burgut në qarkun e prishtinës. I dyshuari sipas avokatit, i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli Kurtit dhe kanë kaluar kohë duke biseduar gjatë së bashku.
“Jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti. Ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen ndaj ndaj tij në kohën kur ai ishte në ambientet e paraburgimit. I dyshuari i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda.”- ka thënë avokati në seancë duke shtuar se shpresonte që Kurti t’i përgjigjet ftesës për të dëshmuar.
Dragisha Milenkoviç u arrestua disa muaj me parë për krime lufte. Ai dyshohej se kishte ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe keqtrajtime ndaj shqiptarëve të burgosur. Ndërsa gjatë arrestimit, i ishte sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shifër metalike, dhe dokumente, vendime, telefon personal e të tjera.
Megjithatë mbetet për t’u parë nëse Kurti do të pranojë të flasë në mbrojtje të serbit.